Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) kundërshton ashpër deklaratat e pavërteta të z. Petar Petkoviq lidhur me një rast pronësor në veri të Kosovës, duke i konsideruar ato përpjekje të rrezikshme për politizim dhe dezinformim.
Rasti në fjalë, që përfshin pronën e familjes Ferki Shipoli, është trajtuar që në vitin 2005, ku është vërtetuar se pala është poseduese e ligjshme e pronës. AKKVP zbaton vendime përfundimtare të institucioneve ligjore në përputhje me mandatin dhe kornizën ligjore në fuqi.
Rikthimi i pronës bëhet përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet ndaj çdo uzurpimi të paligjshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo statusit të palës.
Deklaratat e tilla si kjo e Petar Petkoviqit janë të papranueshme sepse nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën. AKKVP mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të drejtë, të barabartë dhe ligjor të mandatit të saj.
