Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), znj. Afërdita Beka Arifaj, zhvilloi një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu.
Gjatë takimit, znj. Beka Arifaj prezantoi mandatin, objektivat dhe aktivitetet kryesore të AKKVP-së, duke theksuar rëndësinë e trajtimit efikas dhe ligjor të çështjeve pronësore në Kosovë. Diskutimi u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në organizimin e trajnimeve profesionale, me qëllim zhvillimin dhe ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve të AKKVP-së në fushën e trajtimit të çështjeve pronësore.
Nga ana e tij, z. Fejzullahu shprehu gatishmërinë e plotë të Akademisë së Drejtësisë për të mbështetur AKKVP-në dhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve të saj përmes trajnimeve profesionale dhe aktiviteteve të përbashkëta. Znj. Beka Arifaj e falënderoi për përkrahjen dhe vlerësoi rëndësinë e këtij takimi, duke theksuar se bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet AKKVP-së dhe Akademisë së Drejtësisë synon përmirësimin e procedurave dhe rritjen e efektivitetit në trajtimin e çështjeve pronësore në vend.
