Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) me Memorandum Bashkëpunimi për zbatimin e aktiviteteve në kuadër të projektit REGIP

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për zbatimin e aktiviteteve të AKKVP-së në kuadër të projektit “Regjistrimi i Pronës së Paluajtshme dhe Infrastruktura Gjeohapësinore në Kosovë” (REGIP), i cili financohet nga Banka Botërore.

Ky memorandum përcakton kornizën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve gjeohapësinore për qytetarët, në përputhje me mandatin e AKKVP-së.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKKVP-së, znj. Afërdita Beka Arifaj, theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efikas të projektit REGIP, duke vlerësuar se ky proces do të kontribuojë ndjeshëm në avancimin e sistemit të administrimit të pronës në Kosovë.

Kjo marrëveshje vjen pas angazhimit të vazhdueshëm të Drejtoreshës së Përgjithshme të AKKVP-së, duke nisur nga pjesëmarrja dhe takimet e zhvilluara në Konferencën e Bankës Botërore në Uashington në vitin 2024, e deri te finalizimi i kësaj marrëveshjeje.

Projekti REGIP zbatohet nga AKK me mbështetjen e Bankës Botërore dhe synon forcimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin e të dhënave të pronës dhe infrastrukturës gjeohapësinore, në përputhje me standardet ndërkombëtare.