Baza ekzistuese ligjore që rregullon Agjencinë

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), është themeluar me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor 2016 të Ligjit 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i cili ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2016, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-052, i cili ka hyrë në fuqi 26 janar 2023. AKKVP është Agjenci e pavarur e themeluar sipas Nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidh zbrazëtit dhe mospërputhjet në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të marra në Kosovë nga autoritetet serbe para qershorit të vitit 1999 dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe pronën private komerciale, si dhe pranimin e kërkesave të parashtruara të të drejtave pronësore të pakontestuara dhe legjitime të bartura në mënyrë joformale ndërmjet palëve para 24 marsit 1999, bartja formale e të cilave është ndaluar nga legjislacioni diskriminues apo për të cilat dokumentet e kërkuara për regjistrim në sistemin kadastral të Kosovës nuk ekzistojnë.

Mandati

Si rezultat i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur marrëveshja për kthimin e të dhënave kadastrale të zhvendosura të cilat janë marrë nga autoritetet e Serbisë në vitin 1999. Element përbërës i kësaj Marrëveshjeje ishte themelimi i një Agjencie e cila do bënte zbatimin e saj. Kështu, më 9 qershor 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP). Në ndërkohë Ligji, me inicimin e Grupit Parlamentar të “Listës Serbe”, ishte subjekt i një ankese në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjatë periudhës shqyrtuese në Gjykatë, procedura e dekretimit të këtij ligji nga ana e Presidentit dhe hyrja në fuqi ishte pezulluar. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj të datës 25 tetor 2016, e deklaroi ankesën si të papranueshme, duke e hapur rrugën për dekretimin e ligjit nga Presidenti dhe hyrjes së tij në fuqi në nëntor të vitit 2016. Qeveria e Kosovës, pas rekomandimeve të Avokatit të Popullit Nr.551/2017, ka iniciuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Agjencinë dhe në mbledhjen e mbajtur më datë 03.09.2018 me Vendimin 02/06 ka miratuar Ligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligji Nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i cili më pas u procedua në Kuvend dhe pas miratimit ka hyrë në fuqi me 26 janar 2023. Mandati i AKKVP është i një rëndësie shumë të madhe i cili, përveç tjerash, do të ndihmojë që regjistri kadastral aktual të jetë më i plotë dhe i saktë. Numri i përgjithshëm i dokumenteve kadastrale të skanuara dhe të indeksuara në Serbi e që pritet të kthehen është 4,037,264. Të gjitha këto dokumente kadastrale për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare të marra nga Serbia para qershorit të vitit 1999, do të pranohen, krahasohen me dokumentet kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës dhe përmes KVVP do të zgjidhen zbrazëtit dhe mospërputhjet mes këtyre dy grupeve të dokumenteve. Me miratimin e ligjit Nr. 08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-010, për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Agjencisë i janë zgjeruar kompetencat dhe është përgjegjës për pranimin, regjistrimin përgjigjen e kërkesave, njoftimin e palëve dhe procedimin e kërkesave për shqyrtim nga Komisioni, për kërkesat për njohje ligjore të të drejtave joformale pronësore, të pakontestuara dhe legjitime për pronën e paluajtshme, të bartura ndërmjet palëve përmes transaksioneve joformale para 24 marsit 1999 bartja formale e të cilave është ndaluar nga legjislacioni diskriminues apo për të cilat dokumentet e kërkuara për regjistrim në sistemin kadastral të Kosovës nuk ekzistojnë.

Mandati shtesë i trashëguar nga AKP

Sipas ligjit 05/L-010, AKKVP do të trashëgojë edhe mandatin e Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP). Rrjedhimisht, AKKVP do të ketë për mandat që përmes Komisionit për Kërkesa Pronësore (KKP) të zgjidh kërkesat e pronësisë dhe kërkesat lidhur me të drejtat mbi shfrytëzimin (me të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës) lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe komerciale (kërkesa këto të lidhura me luftën në Kosovë duke përfshirë rrethanat që drejtpërsëdrejti janë të ndërlidhura me të ose janë pasojë e saj në periudhën ndërmjet 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999), e të cilat më herët janë dorëzuar në AKP. Mandati i trashëguar nga AKP përfshin edhe autoritetin ekzekutiv të zbatimit të vendimeve të AKP-së dhe në këtë pikëpamje, përveç vendosjes, AKKVP do të ketë në mandatin e saj edhe autoritetin ekzekutiv të zbatimit të vendimeve të AKP-së dhe Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore (DÇPB) të themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23 (mbyllja e së cilës ka përkuar me themelimin e AKP-së). Pra, AKKVP-së i është dhënë mandati për zbatimin e vendimeve finale të KKVP-së, KKP-së, Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore (KPB) si dhe të aktgjykimeve të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme. Zbatimi i kërkesave do të bëhet përmes mjeteve ligjore të parapara, sipas nenit 12 të Ligjit Nr. 08/L-052 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-010 për Agjencinë, duke përfshirë por jo kufizuar, në regjistrimin e vendimeve të KVVP-së në regjistrat kadastralë, në vënien e pronës nën administrim të AKP-së, dëbimin, shkatërrimin e strukturave të paligjshme dhe marrëveshjet mbi qiranë. Gjithashtu, para shfrytëzimit të mjetit juridik të shkatërrimit të strukturave të paligjshme, do të mund të shfrytëzohet ndërmjetësimi si mjet për zbatimin e vendimit. AKP-ja ka trashëguar disa detyra të cilat fillimisht ishin në kuadër të mandatit të paraardhëses së vet, Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore (DÇPB), e themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23. Përgjegjësitë e tilla përfshijnë zbatimin e vendimeve të mbetura të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore (KKPB) që ishin në pritje të zbatimit, dhe menaxhimin e pronave nën administrimin e DÇPB-së. Në ushtrimin e këtij aspekti të mandatit të vet, AKP-së i janë besuar të drejtat, obligimet, përgjegjësitë dhe kompetencat e DÇPB-së. Asetet fizike të DÇPB-së për më tepër, i janë bartur AKP-së dhe një numër i personelit të vet janë ri-caktuar për të kryer detyra të ngjashme brenda AKP-së.

Periudha tranzitore prej AKP në AKKVP

Me themelimin e AKKVP-së, AKP ka pushuar së ekzistuari. Sipas Ligjit për AKKVP, përveç mandatit të ri të dhënë, Agjencisë do t’i barten të gjitha kompetencat e AKP-së përfshirë buxhetin, obligimet kontraktuale si dhe asetet fizike. Pra, me hyrjen në fuqi të ligjit, Agjencia hyri në fazën e tranzicionit dhe në këtë aspekt vlen të theksohet se Agjencia prej kohësh kishte filluar aktivitete të ndryshme përgatitore, planifikimi dhe vlerësimi. Pra, hyrja në fuqi e ligjit Agjencinë e ka gjetur të përgatitur për fillim të zbatimit të mandatit të tij duke ndërmarr kështu shumë veprime si në drejtim të përgatitjeve për zbatim të mandatit të ri e gjithashtu edhe në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga ligji i lartpërmendur. Disa nga këto veprime kanë përfunduar dhe disa janë ende në proces. Për të gjitha çështjet të cilat varen nga Agjencia, vlerësojmë se aktivitetet për procesin e tranzicionit janë duke u përmbushur siç është planifikuar.