Më 11 korrik 2024, Drejtorja e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), Afërdita Beka Arifaj, mbajti një takim informues në Mitrovicën e Veriut, ku morën pjesë persona që përballen me urdhër dëbimi. I lehtësuar nga ekipi i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, ky takim kishte për qëllim sigurimin e komunikimit të vazhdueshëm me palët e prekura dhe diskutimin mbi nevojat e tyre të banimit. Përderisa theksoi se këto raste janë vendosur me vendime të formës së prerë, të cilat janë të detyrueshme dhe ligjërisht të zbatueshme, drejtorja Beka Arifaj u angazhua që bashkë me personat e prekur të gjejë zgjidhje të përshtatshme banimi. Ajo gjithashtu i ftoi ata që të bashkëpunojnë me institucionin dhe t’i lirojnë vullnetarisht pronat, duke nënvizuar përkushtimin e AKKVP-së për mbrojtjen e të drejtave pronësore në tërë Kosovën, në përputhje me legjislacionin përkatës.
11/07/2024